Freitag, 1. Mai 2015

Poetikë e trekëndshit mërgim-atdhedashuri-vendlindje

Nga Rrahim Sadiku
 
  • Fetah Musli Maliqi: “S´të harroj vendlindje”, poezi, SHB “Zgjimi”, Ferizaj, 2015

“Kosovës ia vura Kurorë
Zemrën time,
mallin tim –
t’i tregoja se sa e dua
edhe kur e kisha afër,
edhe tashti në mërgim!”
 
Janë këto vargje kushtuar Kosovës nga mërgimtari, aktivisti e poeti Fetah Musli Maliqi, që e shprehin në mënyrë të veҫantë ndjeshmërinë e tij për vendlindjen, me afri plotësisht jetësore ndaj saj; vargje këto që bëhen shtytje e tij programatike për krijime të reja dhe që mbesin madhështi shpirtërore e artistike. Janë ato vazhdimësi e trajtimit të mërgimit në artin imagjinativ shqiptar, si plagë shekullore dhe si mundësi e vetme për ikje nga varfëria; si shtytëse që të mos ndodh e të harrohet vendlindja, të mos bëhet asimilimi dhe që vendlindja të mbetet rrugë e dëshiruar kthimi në vatrën e të parëve, ashtu si kanë vepruar gjeneratat e gjenerata shqiptarash, në vazhdimësi dhe që kanë lënë gjurmë të dukshme kudo.
Gjithnjë dhe në të gjitha trojet shqiptare i është kënduar mërgimit, me mallë e me lotë, po ajo rrugë nuk është ndalur, as nga vuajtjet e as nga thirrjet e familjarëve, sepse ishin robëria e varfëria ato që e bënin të domosodshme daljen rrugëve të botës, duke mbetur me zemër e me mendje në atdhe. Por kohët kanë ndryshuar, mundësia e kthimit të shpeshtë në atdhe është bërë realitet dhe komunikimi shumë i lehtë, megjithatë, atdheu për mërgimtarin mbetet gjithnjë larg dhe me shumë ndodhi. Andaj te poeti është aq e pranishme dashuria për tokën e Kosovës, për historinë e saj, për të mirat e të këqijat që ndodhin këtu. Ai këndon për minatorët që detyrohen të mbyllen sërish nëpër zgafella dhe ka oprimizëm që ky problem do të zgjidhet, sepse Kosova ka rini të shkëqyeshme, ka njerëz që e duan, kudo janë dhe që japin krejt që kanë për të. Por, ka edhe njerëz të interesit, që Kosovën e shohin si mundësi pasurimi pa punë e përmes keqpërdorimesh pa fund, prandaj vargjet kushtuar atyre janë përplot sarkazëm e humor, po edhe të mbushur urrejte për pushtetaret e korruptuar.
Frymëzim tjetër i vazhdueshëm i Fetahut është vendlindja, bukuritë e saj të mëdha, veҫoritë e stinëve që ka përjetuar këtu. Me mallë e respket të thellë poetik e njerëzor ai këndon për Busovatën, fshatin e tij të lindjes, mësuesin, për dëshmoret e lirisë, për 28 Nentorin, për flamurin kombëtar, për ditën e pavarësisë së Kosovës, për vlerën e lirisë dhe traditës në të kaluarë e sot:

“Dhe ashtu e ruajtën porosinë e të parëve,
Atdheu ishte i të vdekurve sa i të gjallëve
Dhe gjysh stërgjyshi i Arbërisë
Ndër breza përcolli etjen e lirisë.”

Dhe shpërthimin e kësaj etje për liri poeti e gjen te lufta në Kosovë, te vendosmëria e treguar dhe te fitorja e arritur, sepse para kësaj ishte treguar se:

“Këtu nuk ka kushte normale
Këtu normale është vetëm
Lufta për Atdhe
Dhe kënga për liri!”


Në këtë këngë për liri hyjnë fuqishëm Beteja e Kosharjës dhe heronjë e saj të prirë nga heroi dhe legjendari Agim Ramadani.
Cikli për prindërit, të afërmit, shokët e fëmijërisë, kujtimet e hershme e të reja; për plisin si shenjë kohe e tradite; përshkrimi i familjes Fetahaj dhe i veҫorive që ka ajo në jetën e përditshme e në imagjinatën e poetit, zënë vend me rëndësi në vargjet e këtij libri. Po, me një ndjenjë të thellë e të rrallë janë vargjet kushtuar nënë e babait të tij. Ai babain e sheh në kujtime:

“Të shoh larë nga djersët
Me shikime ardhmërie.
Emri baba sa të kishte hije!”

Por, babai ngërthen në kujtime më shumë se një prind, ai është simbol për poetin e për të gjithë ata që e kanë njohur, po edhe më madhështor del i skalitur me fjalë:

„Babai Musli,
Njeri i rrallë,
Hije i kishte
Plisi mbi ballë.

Ia shtonte
Krenarinë,
ia zbukuronte
bukurinë!

Tek qeshte ai,
qeshte dhe plisi,
dukja e tij
si e një lisi!”


kurse për nënën poeti ligjëron:

„Dhe kujtimi yt
Do të jetë në mua,
kujtim i përjetshëm:
Nënë, të dua!“


Vargjet që cituam më lart nuk ngelin vetëm imagjinim poetik, ato kanë në nëntekstin e tyre një mallë të thellë, shtuar me vite e vite ndarjeje, vetmie, etje për të qenë në familje, në shoqëri, aty ku mendohet e fitet shqip.
Nje poezi e veҫantë, shumë e fuqishme, që dallon për vlera artistike, atdhedashurie e dhembjeje është ajo për Ҫamërinë, për të cilën Fetahu thot:

„Me gjak të bijëve,
me flijim të bijave
ece kujtimeve
hyre historisë,
Ҫamëri krenari
Ҫamëri dhembje,
na je më e madhja dashuri!“


Dhe për këtë dashuri të pafund, e cila është larë me lumenj gjaku e lumenj lotësh, poeti krijon vargje të qëndrueshme e plot kthesa artistike. Prandaj, këtë recension për librin “S´të harroj vendlindje”, po e përfunoj ma fjalët e dala nga zemra e krijuesit, Fetah Musli Maliqi:

„Na zgjatet dita,
na zgjatet viti,
O, zemra jonë
Priti e priti.

Dhe pret e pret
Këtu në mërgim,
Vetëm në Atdhe
Ajo gjen shërim!“


Duke e falënderuar Fetahun që shërimin fizik e poetik e ka jetur dhe e gjen në atdhe, ne urojmë që penda e tij të mos hesht kurrë dhe që vendlindja e tij dhe e jona, të bëhet vend i mirësive e i mbarësive, i arritjeve dhe i ardhmërisë, mu ashtu si do, ëndërron dhe për ҫka angazhohet ai.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen