Sonntag, 15. März 2015

Bijtë e shqipes nё tokën e reve të bardha

Shkruan Sabit Abdyli

Aotearoa - toka e reve të bardha

Shqiptarët e parë, që kanë emigruar në Zelandë të Re, kanë ardhur gjatë viteve 50’. Njëri prej tyre Petrit Alliu, rrëfen sesi nga Stambolli me vaporin "Goya" kanë mbërritur në Zelandë të Re  më 1 maj 1951. Numri i saktë nuk dihet, por në atë vapor, sipas z. Alliut  ishin më tepër se 60 shqiptarë, që të gjithë meshkuj dhe të rinj nga të gjitha trojet etnike tona. Secili prej të ardhurve ka historinë e vet rrëqethëse e të llahtarshme gjatë arratisjes nga vendlindja.

Aotearoa, siç e quajtën Zelandën e Re ardhësit e parë maorët, (shqip: toka mbi të cilën qëndrojnë re të mëdha e të bardha), ndodhet në anën jugperëndimore të Oqeanit Paqësor, 8,000 km. larg bregdetit të Amerikës jugore, kurse në veri 2,000 km e ndajnë nga bregu i Australisë lindore. Me një sipërfaqe 269,000 km katrorë, e përafërt me Britaninë e Madhe dhe Japoninë. Në strukturën etnike mbizotëron popullsia e ardhur evropiane. Zelanda përbëhet prej dy ishujve kryesorë: ishullit verior dhe atij jugor. Toka e reve të mëdha e të bardha është tokë kodrinore vullkanike e pasur me bimësi, lumenj, ujëra termalë, liqene, ujëvara dhe me vargmale e kodra. Vargmalet impozante me bukuri mahnitëse dhe vazhdimisht të mbuluara me borë janë Southern Alps (Alpet jugore) që shtrihen në Ishullin jugor. Maja më e lartë e këtyre maleve shkon deri në 3754 metra lartësi Mountain Cook. Zelanda shtrihet në një gjatësi prej 1500 km. nga veriu në jug. Ishulli verior karakterizohet me temperaturë më të butë dhe me popullsi më të dendur. Njerëzit e parë janë vendosur në këtë Ishull të largët pak para sh. X – të. Në Tokën e reve të bardha e të mëdha, siç e quajtën ardhësit e parë /Maori/, kur erdhën, gjetën parajsën, vendin ku organizuan jetën e re në tokë të re dhe për ketë janë edhe sot shumë krenarë. Të ndodhur në mes të Paqësorit, ata jetuan me produktet e tokës, detit dhe të peshkimit.


Lundërtari holandez Abel Tasman, evropiani i parë në Aotearoa

 Evropiani i parë që shkeli në Aotearoa ishte lundërtari holandez Abel Tasman, në vitin 1642, i cili qëndroi për pak kohë përgjatë bregut perëndimor dhe sipas regjionit të Zelandës në Holandë ishullin e posa vizituar e quajti “Zelanda e Re”. Pas 127 vjetëve pason vizita e kapitenit anglez James Cook me marinarët e tij, që erdhi nga Tahiti, 1769. Në vitin 1814 për herë të parë vijnë misionarë anglezë për përhapjen e fesë krishtere. Më 6 shkurt 1840 pas nënshkrimit të traktatit mes vendësve /MAORI/ dhe përfaqësuesit të mbretëreshës Viktoria, në qytezën Waitangi, Britania e Madhe e shpalli koloni të veten Zelandën e Re. Në vitet që pasuan ardhjet vazhduan me intensitet më të shtuar nga Britania e Madhe, kurse më vonë edhe nga shtetet e tjera të Evropës, të Azisë...  Sot në ketë shtet me mbi 4 milionë banorë bashkëjetojnë në harmoni të plotë shumë kultura, gjuhë e raca njerëzish, në mesin e tyre edhe shqiptarë që erdhën këtu pas aplikimit të sistemit sllavo-komunist të vitit 1945 në tokat shqiptare, pra në fillim të dekadës së pestë të shekullit XX. Kronika e migrimeve të shqiptarëve në shtetin e paqes, qetësisë e të rregullit janë pjesë e historisë së dhimbshme të zhvendosjeve me represion e dhunë nga tokat e tyre. Mërgata shqiptare në Zelandë të Re është një ndër mërgatat më të reja shikuar në pikëpamje të kohës së mërgimit nga të gjitha bashkësitë e tjera shqiptare nëpër botë.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen