Sonntag, 10. August 2014

Fadil Curri - Letërsi mërgimtare (III)

QESHJA KUMTUESE
E MENDJES
DHE E BUKURISË POETIKE  

 Iliaz Bobaj: “KALI I PUSHTETIT”(poezi), sh. b. “Asdreni”, Shkup 2012

I cytur të ndjek letërsinë e mërgimtarëve shqiptarë nëpër skutat e ndryshme të botës, kësaj kategorie krijuesish paksa të pakrah dhe të veçuar, më ra në dorë libri me poezi “Kali i pushtetit” i shkrimtarit shqiptar në Greqi. Që në fillim të tij, pra me të lexuar poezitë e para, fitova përshtypjen se lexuesi mangetizohet nga njëra poezi dhe të ngjet për tjetrën, me temën që e shtjellon, personazhet-ngjarje dhe porosinë e vargjeve. Duke shfletuar kalimthi librin, shpesh ndalem në pyetjen se autori është poet, prozator fabulash të vargëzuara, publicist ose hulumtues shembujsh e dukurish devijante në shoqëri, është psikolog e portretizues klarakteresh të njeriut si njësi themelore e popullit, ose qortues i terapisë shëruese të tij. Sidoqoftë, hasa në një labirint kërshërie, në të cilin hyra e nuk dija nga të dilja, sepse preokupimi ishte poliaspektual.

Autori Iliaz Bobaj temën e merr nga ndërkohësia, me personazhet e lashtësisë biologjike të botës shtazore, por e komunikon duke ia veshur petkun e modernitetit analogjik. Duket se preokupimi i tij shtjellues në poezi është karakteri, te cilin me potencën krahasimtare e shtron në laboratorin metodologjik të shkak-pasojës, e diagnostifikon dhe e hedh si ide e bukuri të fjalës për lexuesin, që ai të marrë mësim, edukatë dhe kurajo shrpirt e mendjeformuese, pa imponim, por me përshkrim ndërgjegjësimi. Pluralizmi pushtetor i brishtë dhe demagogjik i shoqërisë ka krijuar dramë në kurriz të ulëtit(popullit), ndërsa lart luhet komedia e litarëve të elitarëve(kalorësve të pushtetit). Shpotitet jeta politike, alenacat tragjikomike shpesh edhe kundër parimit të premtuar të vetes.

Kali e kalorësi janë personazhe fabulative-realiste, identifikim i pushtetarëve e popullit. Kur ujku e shan mbretërinë, dhelpra e ngushëllon duke i thënë se nuk duhet të shahet vetëm mbreti. Kalorësi i pushtetit, kur është ngusht, e sakrifikon kalin, i cili i shërben duke e mbajtur shërbimthi. Solla këta dy shembuj nga dhjetëra të tjerë për të pasqyruar potencën poetike, që përmes fabulës si rrëfim dhe asaj si zhanër poetik, të përshfaq kënaqësinë që përjeton lexuesi, duke arritur edhe të qeshurën e pazë në dukje të parë, por kushtruese si ide e pastajme me bukurinë e kumtin e saj.

Brenda vargjeve të këtij libri autori shpotit shumë ligësi, por unë i veçova disa të shëmtisë kulturore-letrare. Kur jepeshin shpërblimet letrare, i pari iu dha një vajze që konkuronte për bukuroshe, i dyti një ylloreje 18 vjeçe dhe i treti një studenteje të bukur, kurse ai inkurajues një vajze 16-vjeçare. Pra, shpërblehet autori, jo poezia. Në fushën e letërsisë thumbon edhe kritikun letrar, që me hipkrizi i tall shkrimtarët për “cilësitë e tyre letrare”. Në një shembull tjetër stigmatizon jurinë e korruptuar nga një “poet”, i cili pasi e blen jurinë, merr çmimin, ndonëse nuk e njeh letërsinë.

Anarkia shoqërore sjell shumë të zeza, sipas poezisë. I vie radha miut të krijojë parti për mbrojtjen e kafshëve, por e zhgjepuros macja me fjalët se ai e ka me hile, duke dashur vetëm thërrimet t’i mbledhë. Joshëse është shpështirosja e diplomëmanisë në poezinë kur derri lakmon të marrë titullin shkencor të profesorit:

Se sot kohët kanë ndërruar,
Tjetërkund qëndron sekreti:
Tani s’ shohin sa di koka,
Shohin vetrëmn sa ka xhepi.


Senzacionalizmi, dikur i krijuar nga përgojimet në mulli(për burrat) ose te kroi i fshatit(për gratë), sot duket se është zhvendosur në ndonjë kanal televiziv, ku jepet lajmi se një gomar do të pjellë dy kërriçë bineq, e që në të vërtetë del se ai nuk kishte qenë shtatzanë, sepse ishte mashkull. Objet i thumbit nuk janë vetëm poltikanët e pushtetarët, kalorësit, që në të vërtetë është shumësia frymëzuese kjo kategori, por edhe shkrimtarët lëvdatëmarrës e puthadorë të pushtetarëve e kalorësve të këtillë:

Për këtë vit u ngopëm me lëvdata,
(E për kë pati kritika, veç politikanëve?).
Dikur lëvdatat s’ jua kursenin femrave.
Sot,
S’ jua kursejnë shkrimtarëve.

Poezia e Iliaz Bobajt, këtij mërgimtari shqiptar në Greqi, meriton të lexohet dendur. Sepse, jo vetëm që pasqyron realitetin me një gjuhë të kuptueshme, por sjell revoltën jonënshtruese, kumtin e luftës intelektuale kundër të keqes. Poezia qëndron si purgator ndërmjet skëterrës së zezë në popull dhe së bardhës së nxirë nga shpresëthyerarja e shkaktuar. Kuptohet, poezia ka misionin e saj shpëtimtar. Ngacmimi ndërgjegjësues, tematizimi (sh)karakterizues i personazhit, joshja e fjalës-ankth, gjuha fjalëpakë e porosishumë, humori këndellës e shumë cilësi të tjera letrare krijojnë gurrën e orëmirës poetike në këtë libër.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen